“Baresha” bëhet me videoklip (Video)
Prishtinë, 11 janar – Një bareshë e veshur me petkun e zanave të malit vrapon nëpër Bjeshkët e Nemuna. Përralla rrëfehet përmes lëvizjeve jo fort të shpjeta. “Poezia” vizuale, e cila reflekton dashuri për muzikën, natyrën, traditën e trashëgiminë kulturore, shtjellohet në tetë minuta. Bareshat portretizohen nga balerinat. E kujtimet për fëmijërinë janë gjithmonë të freskëta. Tradita kombinohet lehtë me modernen dhe lë përshtypje se janë një. Madhështisë i jep vulë paraqitja e Bilbilit të Kosovës.
Në videoklipin e këngës “Baresha” Nexhmije Pagarusha shfaqet madhështore. E veshur me një fustan plot glamur, “loja” e saj në videoklipin që ka pritur fiks 50 vjet për t’u realizuar, është e vogël por madhështore. Buzëqeshja e lehtë e saj flet shumë. Pagarusha nuk është e pranishme në shumë skena të videoklipit, fotografia e të cilit i afrohet perfeksionizmit. “Loja” e saj është inskenuar në Hamamin e Prizrenit dhe në videoklip shfaqet në momentet kulmuese të këngës së “thurur” nga kompozitori Rexho Mulliqi.
Videoklipi i këngës “Baresha” është realizuar nga “Kooperativa” me iniciativë të Muzeut të Kosovës dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës. Videoklipi është lansuar për herë të parë të martën në “you tube”.
Në ditën kur publiku ka pasur rastin të shijonte për herë të parë videoklipin e këngës “Baresha”, vetë Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, ka thënë se një i tillë është pritur prej kohësh.
“Është një dëshirë e kamotshme e imja dhe e publikut. S’ka njeri që nuk ka bërë spote deri më tani përveç meje”, ka thënë Pagarusha.
“Pesëdhjetë vjet po e pres unë dhe publiku. Më në fund u bë”, ka shtuar ajo.
Por Pagarusha nuk ka dashur të komentonte shumë nëse është ndarë e kënaqur me realizimin e videoklipit të “Bareshës”.
“A do t’u pëlqejë a jo, publiku do të flasë vetë. Unë nuk do të them asgjë, sepse nuk merrem vesh me artin e sotëm. Në kohën time ka qenë ndryshe”, ka thënë ajo.
Megjithatë, Pagarusha e di se publiku vazhdon t’i qëndrojë besnik.
“E di që kam shumë adhurues. E kuptoj përmes internetit, por edhe vetë kur ec në rrugë. Shpresoj që do t’u pëlqejë videoklipi, sepse në të ka mjaft vajza të bukura”, ka thënë ajo.
Yll Çitaku, regjisori që ka realizuar videoklipin, ka thënë se vlerësimi i takon audiencës.
“S’është e imja ta them nëse është realizuar mirë, por mund të them se jemi munduar ta bëjmë më të mirën”, ka thënë shkurt Çitaku.
Iniciativën për realizimin e videoklipit të “Bareshës” e kishte marrë Muzeu i Kosovës, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës. Videoklipi është prodhuar dhe menaxhuar nga “Kooperativa”, ndërsa skenari dhe regjia janë bërë nga Yll Çitaku dhe Arian Rexhepi. Gjithashtu, ka qenë një ekip i gjerë artistësh të angazhuar në projekt, siç janë: Trupa e Baletit e Kosovës, Krenare Rugova, Rudina Xhaferi e shumë të tjerë. Xhirimet, të cilat kanë zgjatur rreth dy muaj, janë realizuar në Bjeshkët e Nemuna, në Prizren dhe në Lipjan.
“Baresha”, tekstin e së cilës e ka shkruar Rifat Kukaj, është kompozuar në vitin 1965.
Burimi: KOHA
Video: http://www.youtube.com/watch?v=5ZCSQlnFU7s


Komento