Jonida Vokshi
Ajo është imazh që shet. Njofton për premierat sportive, turnetë dhe ofertat e ndryshme të Super Sport për më se 6 muaj. Ata që e ndjekin janë meshkuj, fansat e çmendur të sportit, sidomos futbollit. Ndaj dhe Jonida Vokshi nuk u mendua dy herë për të pranuar të ishte imazhi që do shesë “ndeshjet”. Përveç fytyrës së qeshur, iu kërkua një look origjinal. Pranoi. Nuk ka vendosur asnjëherë bojë në flokë, dhe ka fytyrë fëmijërore njësoj si atëherë kur konkurroi në “Top Fest 1”, që ishte dhe dalja e saj e parë në ekran si këngëtare. Më vonë u bë e njohur si prezantuese e emisionit “Top Select”, në “Top Channel” deri sa një ditë vendosi t’i linte të dyja këto pasione për t’i hyrë studimeve për regji. Por brishtësia jo më kot thuhet se është forcë.

Jonida vokshi
Ajo ka guxuar dhe më parë të thyejë tabu. Vjeshtën e kaluar u pa në skenat erotike të realizuara me Amos Zaharian, djalin e Yllka Mujos në filmin artistik “Shentorja”. Ndërkohë që punon asistente e programacionit në “TV Klan”, në këtë intervistë zbulon planet për rol kryesor në një film të ri gjerman, një emision që ka ideuar për të rinjtë, dhe pse nuk do ta shesë herë tjetër imazhin e saj për reklama. Por dhe se ndihet mirë me të dashurin e saj:
Jonida je tashmë imazh i Super Sport, për herë të parë një femër që bën spote për sportin. Nga kush erdhi oferta?
Oferta më erdhi nga drejtuesit e Super Sport pasi donin të fusnin imazhin e femrës në një paketë sportive, diçka e paprovuar më parë në ekranet shqiptare. Jam e para imazh femër i spoteve sportive, më parë të realizuara thjesht me sekuenca nga ndeshjet, apo garat. E pranova duke lidhur kontratë gjashtë mujore, e cila ripërtërihet.
Çfarë kriteresh duhet të plotësoje për të qenë një imazh i spoteve të tilla?
Ata kërkuan Jonidën origjinale, asgjë më shumë. Në fillim u bë një përshtatje e look-ut por më vonë jam kujdesur vetë për gjithçka, përfshirë dhe veshjet.
Nëse do ta shohim në këtë aspekt, meshkujt si fansa të sportit janë dhe fansat e tu. Të grishi ideja, dhe ishte kjo një arsye për ta menduar ofertën?
Nuk e mendova shumë për ta pranuar ofertën, pasi më pëlqen shumë ideja që sporti u përket meshkujve. E kisha problem në fillim pak të mësohesha me emrat e sportistëve, termat, etj, por tani jam ambientuar dhe e bëj me shumë qejf.
Çfarë pagese të është ofruar për të qenë imazh i këtyre sporteve?
Deri tani janë realizuar 8- 9 spote me minutazhe të ndryshme. Dhe Super Sport më ka paguar me një rrogë mujore shumë të kënaqshme për mua.
Je interesuar se si kanë qenë shitjet në qendrat e basteve, pas daljeve të tua në ekran?
Ende nuk jam interesuar, por do interesohem tani në lidhje me këtë. Shpresoj që imazhi im të ketë ndikuar për mirë në qendrat e basteve.(qesh)
Ti vetë e ndjek sportin, të pëlqen futbolli?
Jo unë nuk jam një fanse e futbollit. Ndjek me kënaqësi garat e notit dhe patinazh në akull, ndërsa vetë më pëlqen të luaj volejboll. Pavarësisht se jam e informuar për gjithçka dhe këtë informacion e jap për të tjerët, për sa i përket vetes sime, nuk kam ndryshuar preferencat dhe interesin tim për sportin. Unë nuk ndjek futboll fare. Nuk kam idhuj në sport, pasi idhujt e mi janë në teatër dhe kinema, ku këtë vit pres të diplomohem në degën Regji teatri, ku ndjek studimet në Akademinë e Arteve të Bukura.
Meqë jemi te teatri ose filmi, ke marrë ndonjë ofertë këto kohë?
Kam pasur dy-tre oferta për role në film me të cilat do më duhet të zgjidja. Dhe e kam vendosur. Do të jem në rol kryesor në një film artistik me metrazh të gjatë, prodhim shqiptaro-gjerman, xhirimet për të cilin do të fillojnë shumë shpejt.
Ndërkohë punon në post produksionet e programeve në TV Klan, si shkon puna?
Po momentalisht punoj në post produksion për të gjitha emisionet e “Tv Klan”. Më pëlqen puna në televizion, sepse më bën të ndihem mirë.
Ke menduar të bësh një emision tëndin?
Po jam duke ideuar një emision për të rinj për sezonin e ri, ku do jem skenariste dhe regjisore, por jo prezantuese, pasi nuk mundem t’i bëj të gjitha vetë. Por edhe për t’u ruajtur nga konsumimi i imazhit.
Ndërkohë spote të tilla ta konsumojnë imazhin, çfarë ke menduar për këtë?
Patjetër e kam menduar, po Super Sporti është një kompani prestigjioze dhe ndaj më ka pëlqyer. Pas kësaj kam pasur shumë oferta të tjera, dhe i kam refuzuar. Kam menduar që pasi të mbyll kontratën me Super Sport nuk do e shes më imazhin tim për një kohë të gjatë.
Fjalet nga kerkimet:
- jonida vokshi


Komento